Kthehu pas
17.01.2020

Komunikatë për Media

Prishtinë – 16 janar 2020

Drejtuesit e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të përfaqësuar nga Kryesuesi i Bordit Musa Shabani, Drejtori Ekzekutiv Ramiz Krasniqi dhe Kryesuesja e Departamentit Ligjor Selvete Grajqevci janë takuar të enjten me Kryetarin e Komunës së Malishevës Ragip Begaj, Kryesuesin e Kuvendit të Komunës Rrahim Morina dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, Alban Mazreku nga PDK-ja, Alban Krasniqi nga VV-ja dhe Kastriot Berisha nga AAK-ja.
Qëllimi i këtij takimi ishte sqarimi dhe konsultimi lidhur me vendimin e Kuvendit Komunal të Malishevës për pezullimin e pëlqimeve komunale për të gjithë operatorët që kanë licenca të shfrytëzimit dhe merren me veprimtaritë e ngjashme në territorin e kësaj Komune.
Zyrtarët e lartë të KPMM-së kanë dhënë sqarimet e tyre duke u bazuar në ligjet në fuqi që e rregullojnë sektorin e minierave në Republikën e Kosovës lidhur me dhënien e lejeve dhe licencave për hulumtimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e resurseve minerale, ndërsa përfaqësuesit e Malishevës e kanë arsyetuar vendimin për pezullimin e përkohshëm të licencave dhe lejeve me qëllim të zbatimit të kritereve nga operatorët, mbrojtjes së jetës së qytetarëve si pasojë e minimeve, ndotjes së mjedisit, dëmtimit të rrugëve dhe çështjeve të tjera me ndikim negativ në jetën e qytetarëve.
Pas shumë sqarimeve të bëra nga të dy palët, Kryesuesi i Bordit të KPMM-së, Musa Shabani ka deklaruar se tani e tutje ky Komision nuk do të lëshoj licenca dhe leje pa pëlqimin e Kuvendit Komunal të Komunës së Malishevës. Ai ka sqaruar se KPMM nuk do bëj tërheqjen retroaktive të licencave dhe lejeve duke paralajmëruar se Komuna e Malishevës do t’i bartë të gjitha pasojat e tërheqjes eventuale të pëlqimeve dhe lejeve.
Të dy palët u pajtuan që të organizohen inspektime të përbashkëta në terren nga inspektorët e KPMM-së dhe të Komunës së Malishevës për të inspektuar të gjitha ndërmarrjet që kanë licenca dhe leje të lëshuara nga KPMM dhe për tu angazhuar në zgjidhjen e të gjitha shqetësimeve të qytetarëve të kësaj Komune.