Koordinimi ndërinstitucional për zbatimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale për parandalimin e aktiviteteve te jashtëligjshme minerare
16.04.2018
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale organizoi punëtorin “Koordinimi ndërinstitucional për zbatimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale për parandalimin e aktiviteteve të jashtëligjshme minerare”. Qëllimi i kësaj punëtorie, ishte përcaktimi i rregullave për zhvillimin e veprimtarisë së aktiviteteve minerare dhe post minerare, sipas standardeve të pranuara mjedisore, përmes hulumtimit, shfrytëzimit dhe pasurimit të resurseve minerale, duke siguruar transparencë dhe konkurrencë të lirë gjatë zbatimit dhe ushtrimit të aktiviteteve minerare, rritje maksimale të përfitimit publik dhe rregullim të mbledhjes, ndalimi i shfrytëzimit të operimeve jashtëligjshme si dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.
Me qëllim që të bëhet “Koordinimi ndërinstitucional për zbatimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale për parandalimin e aktiviteteve të jashtëligjshme minerare” kërkohet bashkëpunim ndërinstitucional. Pjesëmarrës në ketë punëtori ishin përfaqësuesit nga këto institucione: Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe zhvillimit rural, Administrata Tatimore e Kosovës, Agjensioni për Administrim të Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Fjalën e mori Kryetari i Bordit të KPMM-së Musa Shabani, ku u shpreh se një nga problemet më të mëdha vazhdon të jetë shfrytëzimi ilegal i resurseve minerare. KPMM ka pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm me institucione tjera për një menaxhim më të mirë të sektorit minerar, duke përfshirë këtu Inspektoratet e Komunave, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Policinë, Prokurorit dhe Gjykatat e vendit. Edhe për kundër shprehjes së vullnetit nga këto institucione për përkrahje, rezultatet tregojnë një gjendje jo të mirë. Gjithashtu Z. Shabani u shpreh se KPMM-ja jo se dëshiron të lirohet nga përgjegjësit e veta për luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar, por ne kërkojmë mbështetjen e të gjitha institucioneve dhe koordinimin e përbashkët për ndalimin e kësaj dukurie duke kryer secili prej neve detyrat që i takojnë. Për të pranishmit e kësaj punëtorie bëri një prezantim Z. Jahir Gashi, Inspektor i Minerave-Xehtari (KPMM) me titullin “Plani i Veprimit Për Parandalimin e Operimeve Ilegale në Sektorin Minerar”. Pas shumë diskutimeve ndërmjet përqafuesve të cilët ishin të pranishëm arritëm që të nxjerrim disa konkluzione. Të gjithë të pranishmit shprehen gatishmërinë për përkrahje, në mënyrë që kjo dukuri të zhduket sa me shpejtë që të jetë e mundur.