Bordi i KPMM-së u takua më 20.02.2025 me z. Richard Rodgers, Ambasador i Australisë dhe Znj. Diana Padežanin, Zyrtare për Hulumtime Politike dhe Ekonomike në këtë Ambasadë.
Gjatë kësaj vizite, Ambasadori u njoftua me punën e KPMM-së, ku u diskutuan mundësitë për krijimin e bashkëpunimit në projekte specifike për sektorin e minierave në të ardhmen, sfidat kryesore dhe nevojat për përmirësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë në minierat ekzistuese, si dhe ngritjen e kapaciteteve të fuqisë punëtore për tu përballuar me kërkesat e sektorit. Ambasadori njoftoi se në Australi, ku sektori minerar është tashmë i zhvilluar, sfidat lidhen kryesisht me ruajtjen e standardeve të sigurisë, mbrojtjen e mjedisit dhe adaptimin ndaj teknologjive të reja për të përmirësuar produktivitetin dhe efikasitetin në sektor.
Z. Richard Rodgers informoi Bordin për hapat specifik që Ambasada e Australisë ka ndërmarrë për të bashkëpunuar me Kosovën në ngritjen e kapaciteteve në sektorin minerar në Kosovë, si dhe për mundësinë e pjesëmarrjes së një delegacioni të gjerë shtetëror në Konferencën botërore në sektorin e minierave, ALTA, në Perth, Australinë Perëndimore.