Kthehu pas
06.02.2023

REAGIM PUBLIK

REAGIM PUBLIK

(Në vend që të përgëzohet Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për të hyrat rekorde për vitin 2022 prej 31,062,131 milionë euro i njëjti po rekomandohet për shkarkim)

Ndjejmë obligim moral dhe profesional që të njoftojmë Publikun lidhur me veprimet dhe punën në KPMM.

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një herezie të hapur vetgjykuese ndaj Bordit të KPMM-së se gjoja dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e Kosovës e që për fat të keq vie nga dy-tre deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Bordi i KPMM-së është emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Dhjetor të vitit 2021, ku pas marrjes së detyrës Bordi ka bërë punë të mira me procesin e licencimit të ndërmarrjeve si dhe miratimin e disa Udhëzimeve Administrative të nevojshme për punën e rregullt të KPMM-së.

Ne si Anëtarë të Bordit që nga emërimi në detyrë, problemi i parë i rëndësishëm që është paraqitur para nesh është Raporti i Auditorit të Brendshëm të KPMM-së i cili vjen në përfundim se ndërrmarrja e mineraleve metalike me pronar të huaj përgjatë viteve nuk ka paguar Rentë Minerare në përputhje me UA 01/2011. Bordi ka analizuar Raportin e Auditorit dhe ka aprovuar raportin e njejtë duke lejuar vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme. Menaxhmenti i KPMM-së ka krijuar një komision profesional për të verifikuar dhe konstatuar gjendjen e raportimeve të ndërmarrjes nga periudha prej 2011 deri më 2018 dhe prej 2018 deri më 2021.

Komisioni me të përfunduar raportin ka konstuar të gjeturat e auditorit se ndërmarrja nuk ka kryer obligimet e rentës minerare në perputhje me UA 01/2011.

Dyshimet nuk janë për një borxh prej 9 milionë por për një ndryshim – diferencë te mënyrës së llogaritjes së rentës minerare që nga hyrja në fuqi e Udhëzimit Administrativ 01/2011.

Menaxhmenti në bazë të gjeturave të provuara ka lëshuar Njoftimin për Dështim ndërmarrjes lidhur me raportimet të cilat duhet bërë në përputhje me Ligjin për Miniera dhe Minerale dhe Udhëzimin Administrativ 01/2011.

Sipas procedurave ndërmarrja ndaj Njoftimit parashtron Ankesë në KPMM.

Ankesa trajtohet nga Komisioni i Ankesave brenda KPMM-së.

Bordi pranon rekomandimin nga Komisioni i Ankesave të cilin rekomandim e shqyrton dhe e analizon, por në vendimmarrjen sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale voton 3 me 2.

Tre anëtarë të Bordit NUK e përkrahin rekomandimin e Komisionit për Faljen e obligimeve të ndërmarrjes që ka ndaj KPMM-së.

Dy anëtarë të Bordit e miratojnë rekomandimin e Komisionit, ngase nuk e kanë konsideruar si borxh.

Përfaqësuesi ligjor i Ndërmarrjes në vitin 2018 nga KPMM është njoftuar se nuk ka obligime për rentë minerare.

Në bazë të Ligjit për Miniera dhe Minerale  si dhe në bazë të Ligjit për Investime të Huaja Nr. 04/L-220 Bordi me tre vota ka marrë vendim që të obligoj ndërmarrjen që të kryej pagesën e rentës minerare nga viti 2018 e deri më sot, gjithashtu ka kërkuar nga Menaxhmenti që të marrin masa ndaj Zyrtarëve të cilët janë audituar dhe nuk kanë vepruar në përputhje me Ligjin dhe UA 01/2011.

Ndërmarrja e ka pranuar obligimin dhe paguan rentën minerare në përputhje me LMM dhe UA 01/2011 që asnjëherë në të kaluarën nuk e kishte respektuar.

Prandaj, është e pakuptimtë dhe e qëllimshme prirjet se Bordi i KPMM-së e ka dëmtuar Buxhetin e Shtetit.

Pretendimet e dy tre deputetëve se Bordi është politik dhe i papërgatitur nuk qëndrojnë për arsye se Anëtarët e Bordit kanë një përvojë të gjatë në Sektorin Minerar vendor dhe ndërkombëtar.

Bordi i KPMM ka punuar në përputhje me Ligjin për Miniera dhe Minerale dhe ligjet e rregulloret në fuqi në mënyrë të përkushtuar që të vihet në rrugën e drejtë puna dhe veprimtaria e institucionit KPMM-së.

Si përfundim duhet përmendur se viti 2022 ka qenë viti më i suksesshëm i të hyrave nga sektori minerar me një vlerë prej 31,062,131 milionë euro, përkundër vështirësive që kanë qenë të lidhura me krizën ekonomike krahasuar me vitin 2021 që ishte 20,029,887 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës na ka emëruar si Bord dhe ka të drejtën edhe të shkarkoj Bordin, por asnjëherë nuk mund t’i mveshet diçka e pabazuar për dëmtim të buxhetit të shtetit, pasi për këto pretendime janë provat dhe faktet që flasin të kundërtën.