Potenciali i hulumtimeve

Perspektiva e hulumtimeve gjeologjike në Kosovë konsiderohet të jetë mjaft e lartë bazuar në ndërtimin gjeologjik dhe karakteristikat mineralogjenike të saj. Vlen të theksohet se në të kaluarën janë kryer shumë hulumtime gjeologjike duke shfrytëzuar pothuajse të gjitha llojet e metodave të hulumtimit për atë kohë, ku si rezultat janë zbuluar vendburime të ndryshme minerale. Pas luftës së fundit të 1999-ës gjithashtu janë bërë disa hulumtime të rëndësishme duke aplikuar teknologjitë më të përparuara bashkëkohore për hulumtime të vendburimeve të reja minerale. Kështu nga viti 2006 deri në vitin 2007 janë bërë hulumtime gjeofizikë ajrore (magnetike, elektromagnetike dhe radiometrike) në kuadër të projektit “Airborne geophysical survey over Kosovo” nga Shërbimi Gjeologjik Finlandez dhe ai Britanik.

Interpretimi i të dhënave gjeofizike, sipas plansheteve 1:100 000

 

Ndërsa projekti i KPMM-së “Gjeokimia e Kosovës”, është realizuar nga ndërmarrja “Beak Consultants GmbH” dhe “Brenk Systemplanung, abc- consultants” në periudhën 2006-2007 dhe 2010-2011.

Marrje dhe përgatitje e mostrave për analizim në laborator

 

Përpunimi i të dhënave nga analizat e mostrimit në sedimentet e lumenjve dhe përroskave

Si rezultat i këtyre hulumtimeve sot KPMM-ja posedon të dhëna të cilat janë shumë të rëndësishme për të gjitha palët e interesuara të cilët merren me aktivitetet e hulumtimit të mineraleve të ndryshme por edhe për studime tjera me interes.

Aplikimi i programeve hulumtuese sistematike nën klimën e re të investimeve të huaja serioze të cilat do të duhej të vinin direkt nga ana e sektorit global minerar, duhet të japë suksese në hulumtime, në mënyrë që Kosova të jetë konkurrente në fushën e hulumtimeve në regjion e më gjerë.

Ekzistojnë potenciale të hulumtimit të provuara për qymyre (linjit), plumb, zink, argjend, nikel, krom, boksit, magnezit dhe minerale ndërtimi (si shkëmb i fortë, rërë, zhavorr, argjilë). Shumë shenja për metalet e çmuara (ar, platin) janë dalluar pas mostrimit gjeokimik nëpër përroska dhe lumenj dhe si metale shoqëruese në xeheror të tjerë (kromite dhe metale baze).

Ajo që patjetër duhet theksuar është fakti se në Kosovë nga ana e Qeverisë janë shpallur njëmbëdhjetë (11) zona si “Zona me interes të veçantë” për hulumtime të mineraleve të ndryshme. “Zona me interes të veçantë” është e përcaktuar si e tillë në përputhje me nenin 18 të Ligjit për Minierat dhe Mineralet, dhe e drejta për hulumtim apo shfrytëzim jepet përmes procedurave të konkurrimit.

Në vijim janë paraqitur njëmbëdhjetë “Zona me interes të veçantë” si:

  1. Lënda minerale: (Pb-Zn) – lokacioni –Vllahi- Zjaqë;
  2. Lënda minerale: (Pb-Zn) – lokacioni – Gumnishtë;
  3. Lënda minerale: (Pb-Zn) – lokacioni – Karaqë;
  4. Lënda minerale: (Ni-Co) – lokacioni – Baks;
  5. Lënda minerale: (Fe-Ni) – lokacioni – Tërstenik;
  6. Lënda minerale: (Mg, Ni) – lokacioni – Magurë Golesh;
  7. Lënda minerale: (Pb-Zn) – lokacioni – Zhegovcë;
  8. Lënda minerale: (Pb-Zn) – lokacioni – Bresalcë;
  9. Lënda minerale: (Pb-Zn) – lokacioni – Bushincë-Bolec;
  10.  Lënda minerale: (minerale të rralla, kuarcite) – lokacioni – Debëllde;
  11.  Lënda minerale: (Cr-Pt) – lokacioni – Deva.