Kthehu pas
02.11.2026

PËRMBYLLET ME SUKSES KONFERENCA VIII NDËRKOMBËTARE MULTIDISIPLINARE E GJEOSHKENCAVE NË MITROVICË

Me sukses është përmbyllur Konferenca VIII Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkenca, e mbajtur më 22 dhe 23 tetor 2026 në Mitrovicë, e organizuar nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Universiteti “Isa Boletini” dhe Ministria e Ekonomisë. Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve, profesorë, akademikë, shkencëtarë, ekspertë të Gjeoshkencave dhe industrisë minerare, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, prezantimin e rezultateve shkencore dhe diskutimin e potencialit dhe perspektivave të zhvillimit të sektorit minerar në Kosovë.

Konferencën e hapi Dr. sc. Habib Basholli, Kryesues i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë që kanë pasuritë minerale për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit. Ai rikujtoi se Kosova ka një potencial të konsiderueshëm minerar, i cili duhet të shoqërohet me përgjegjësi, administrim profesional dhe shfrytëzim të qëndrueshëm, duke pasur gjithmonë parasysh edhe ruajtjen e këtyre pasurive për gjeneratat e ardhshme.

Gjatë fjalës së tij, Kryesuesi i Bordit te Komisionit te Pavarur per Miniera dhe Minerale prezantoi të dhëna statistikore mbi aktivitetin minerar në vend. Sipas shifrave të prezantuar, për hulumtim janë 134 licenca aktive, përfshirë 119 për materiale ndërtimore dhe 15 për minerale industriale, ndërsa për shfrytëzim janë 128 licenca aktive, përfshirë 109 për materiale ndërtimore, 14 për minerale industriale, 3 për minerale metalike dhe 2 për minerale energjetike.

Po ashtu, në prezantim u paraqiten të dhënat për fabrikat dhe impiantet aktive, ku janë dhënë gjithsej 227 leje aktive: 24 për baza të asfaltit, 102 për baza të betonit, 98 për impiante sortuese dhe 3 për impiante të flotimit. Këto të dhëna pasqyrojnë një pjesë të rëndësishme të aktivitetit në sektorin minerar dhe të industrisë së lidhur me të, duke vënë në pah rëndësinë e administrimit dhe mbikëqyrjes së përgjegjshme të këtij aktiviteti.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i fjalës së Kryesuesit ishte se zhvillimi i sektorit minerar nuk mund të mbështetet vetëm në shfrytëzimin e resurseve natyrore. Ai kërkon edhe kërkim shkencor, teknologji moderne, rritje të efikasitetit, siguri në punë dhe mbrojtje të mjedisit. Në këtë drejtim, Basholli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, universiteteve, instituteve kërkimore dhe industrisë, si një mënyrë për të shfrytëzuar më mirë potencialin minerar të Kosovës dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi.

Dita e dytë e konferencës u shoqërua me vizita studimore në terren, duke u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të njihen nga afër me disa prej lokacioneve me rëndësi për Kosovën. Vizitat përfshinë Minierën e Trepçës në Leposaviq, Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari” ne Prekaz, si dhe Liqenin e Ujmanit, duke ndërthurur diskutimet shkencore me njohjen praktike të trashëgimisë minerare, historike dhe natyrore të vendit.

Përmbyllja e konferencës shënon një tjetër mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve, komunitetit akademik dhe industrisë, si dhe për avancimin e kërkimit shkencor në fushën e gjeoshkencave. Shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi mbeten thelbësorë për zhvillimin e një sektori minerar të përgjegjshëm, konkurrues dhe të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës.