Letra përshëndetëse e Kryesuesit të Bordit të KPMM-së kushtuar shënimit të 27 vjetorit të Grevës së Minatorëve të Trepçës
Të dashur Minatorë e Punëtorë të Artanës e Stantërgut, të nderuara struktura menaxhuese të Trepçës, i nderuari drejtor i Trepçës, jemi mbledhur sot këtu që në rrethanat e vështira që po kalon vendi të shënojmë ditët e mbajtjes së grevave të minatorëve të Trepçës 27 vjet më parë, që me kujtimin e këtyre ngjarjeve së paku të kontribuojmë në një reflektim pozitiv siç 27 vite më parë aq fuqishëm patën reflektuar Greva e minatorëve.
Minatorët e asaj kohe të mbledhur si një trup i vetëm, hynë në grevë për të kundërshtuar diskriminimin që po i bëhej vendit të tyre Kosovës, me ndryshimet kushtetuese të asaj kohe nga regjimi i Jugosllavisë së atëhershme, duke i dhënë kështu një grusht të rëndë atij regjimi shovinist e totalitar që ushtronte dhunë fizike e psikike kundër të gjithë shqiptarëve në ish Jugosllavi.
Greva e minatorëve në atë kohë ngritën në këmbë në një solidarizim të paparë deri atëherë te të gjithë shqiptarët, si dhe zgjuan edhe një përkrahje më të gjerë edhe ndërkombëtare, kështu duke i dhënë edhe një dimension të ri çështjes shqiptare në ish Jugosllavi.
Greva e minatorëve solli zhvillime të reja brenda shqiptare, të cilat shkuan duke u zhvilluar deri në themelimin e UÇK-së e cila me luftën e saj të lavdishme, bashkë edhe me përkrahjen e SHBA-ve dhe NATO-s solli lirinë për Kosovën.
Sot, kur Kosova po ndërton Lirinë dhe shtetësinë e saj po ndodhin përçarje si asnjëherë më parë, dëshiroj të ju bëjë me dije se kjo nuk i kontribuon zhvillimit tonë si shtet, në të kundërtën do të ndikoj shumë negativisht në të gjitha proceset si të partneritetit me SHBA dhe në procesin e integrimeve Evropiane, e gjithashtu do të ketë pasoja edhe në zhvillimin ekonomik të vendit i cili është kaq i nevojshëm.
Të dashur Minatorë, ju më së miri e dini se ç ‘është atdhedashuria dhe lufta për lirinë, sepse nga gjiri i juaj ranë edhe shumë dëshmorë, prandaj me këtë rast ju bëjë thirrje që ju të reflektoni me punën e juaj në zhvillimin ekonomik të vendit, në këtë mënyrë ju do të mbroni shtetin dhe LIRINË.
Të dashur Minatorë, ju siguroj se KPMM-ja do të jetë në mbështetje të të gjitha projekteve strategjike e zhvillimore të cilat do të ndikonin në rimëkëmbjen e Trepçës dhe për të gjitha projektet tjera të fushës së minierave të cilat do ta rimëkëmbin ekonominë e vendit.
Me FAT!
Musa Shabani
Kryesues i Bordit të KPMM-së
Prishtinë
Dt.26.02.2016