Kthehu pas
10.03.2016

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale prezanton sektorin minerar në Kanada

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale prezanton sektorin minerar në Kanada në dy evenimente të ndryshme: Konferencën PDAC dhe “NATO Economy 2016 Forum – Mining & Infrastructure

Delegacioni i Komisionit te Pavarur për Miniera dhe Minerale në përbërje: Musa Shabani, Kemajl Zeqiri dhe Festim Kutllovci,  ne kuadër te Konferencës PDAC qe u zhvillua në Toronto të Kanadasë, dhe që është konferenca më e madhe për sektorin minerar, përveç takimeve të shumta me investitorë dhe përfaqësues të qeverive të ndryshme, kanë prezantuar potencialin minerar dhe infrastrukturën ligjore mbi mundësitë e investimeve në sektorin minerar të vendit në dy evenimente të ndryshme. Në mbështetje të delegacionit të KPMM-së  ishte edhe deputetja e Kuvendit te Republikës se Kosovës znj. Sala Berisha – Shala, prezenca e se cilës ishte e rëndësisë se veçantë sidomos përgjatë diskutimeve rreth kornizës ligjore minerare dhe diskutimeve mbi mundësitë e plotësimit të kësaj kornize ligjore.

Fillimisht prezantimi u realizua në kuadër të konferencës PDAC, me ç‘rast interesimi i kompanive dhe përfaqësuesve të ndryshëm institucionalë ishte jashtëzakonisht i madh, dhe si rrjedhojë pas prezantimit delegacioni ynë ka zhvilluar një varg takimesh të ndara, bazuar në kërkesat e pjesëmarrësve në prezantim.

Prezantimi i radhës i sektorit minerar u realizua në kuadër të evenimentit “NATO Economy 2016 Forum – Mining & Infrastructure”, me ç‘rast përveç prezantimit,  përfaqësuesi i delegacionit z. Kemajl Zeqiri ishte edhe pjesëmarrës në panel te diskutimeve. Pas prezantimit ne kuadër të takimeve “B2B” dhe “B2G”, delegacioni zhvilloi diskutime të ndryshme me përfaqësues institucionalë dhe të kompanive nga vende të ndryshme si Kanada, Turqia, Bullgaria, Polonia, Çekia etj. Vlenë të theksohet se Kosova për herë te parë merr pjesë në ketë eveniment – NATO Economy Forum.

Delegacioni falënderon përfaqësuesit e ambasadës së Kanadasë në Zagreb për mbështetjen e dhënë në organizmin e prezantimeve në të dyja evenimentet. Delegacioni poashtu falënderon edhe perfaqësuesin e ambasadës së Kosovës në Kanada.