Linjiti ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën. Ai kontribuon me 97 % të prodhimit të energjisë së tërësishme elektrike, gjersa pjesa tjetër e prodhimit rreth 3 %, është e bazuar në hidrocentrale. Me 12.44 Mt[1], Kosova zë vendin e pestë në botë sa i përket rezervave të vërtetuara të linjitit. Në territorin e Kosovës vendburimet e linjitit gjenden në basenet e Kosovës, Dukagjinit dhe Drenicës, ndërsa shfrytëzimi ka qenë i kufizuar vetëm në basenin e Kosovës. Historikisht të dhënat e para sistematike të shfrytëzimit të linjitit datojnë nga viti 1922, kur edhe fillon shfrytëzimi me punime të cekëta nëntokësore në shkallë të vogël në basenin e Kosovës. Shfrytëzimi në shkallë të gjerë filloi më shfrytëzim sipërfaqësor në Mirash (1958) dhe Bardh (1969) duke përdorur eskavatorë bashkëkohorë.
[1] Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës 2012-2025
Shprehur në shifra kumulative shfrtëzimi i linjitit nga fillimi i minierës në vitin 1922 deri në fund të vitit 2004 ka arritur në 265 milion ton. Nga vështrimi gjeologjik linjiti i minierave të Kosovës është një nga vendburimet më të favorshme te linjitit në Evropë. Raporti mesatar i heqjes se 1.7m³ mbulese për 1ton qymyr dhe në total rezervat e vlerësuara ekonomikisht të shfrytëzueshme përfaqëson një nga me të pasurit në Evropë, që do të siguroi prodhimin e energjisë elektrike për dekadat e ardhshme.
Linjiti është i cilësisë së lartë për prodhimin e energjisë elektrike dhe me një sërë parametrash mund të krahasohet me vendburimet e linjitit të vendeve fqinjë. Neto vlera kalorifike e linjitit të Kosovës ndryshon në vlerën (NVK) nga 6.28–9.21MJ/kg, mesatarisht 7.8MJ/kg. Trashësia e linjitit (me moshë Pliocenike) mundë të jetë deri në 100m, ndërsa trashësia mesatare rreth 40m, dhe raport mesatar të mbulesës në raport me linjitin 1.7 : 1. Ky raport nënkupton që kostoja e rrymës së përfituar nga linjiti në Kosovë është më e ulta në rajon. Kostoja në Kosovë është € 0.62/GJ e krahasuar në Bullgari me € 0.88/GJ dhe € 1.34/GJ në Serbi dhe Mal të Zi.
Zhvillimi i mëtejshëm afat mesëm i shfrytëzimit të linjitit do të vazhdoje në fushën minerare të Sibovcit në pjesën veriore të Basenit të Kosovës duke u dhënë përparësi të madhe investimeve private.
Në territorin që sot shtrihet Kosova punët minerare dhe shfrytëzimi i metaleve ka qenë mbështetja kryesore ekonomike, qysh prej kohëve para – Romake. Iliret, Romaket, Bizantët, Saksonët, Turqit, Francezët dhe Britanikët kanë kryer aktivitete të gjera minerare në rajon. Këto aktivitete janë zhvilluar në nëntë miniera, pesë prej të cilave përbëjnë kompleksin e sotëm të Trepçës.
Shfrytëzimi minerar modern filloi në vitin 1930 kur ndërmarrja britanike “Selection Trust” Ltd, ringriti kompleksin Trepça duke përfshirë zhvillimin e fabrikës së baterive që përdorte plumbin. Shfrytëzimi minerar aktiv i pesë minierave pushoi gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-së. Vendndodhja e minierave të Trepçës përcaktojnë Brezin Mineral të Trepçës. Ekzistojnë tre zona kryesore të mineralizimeve me drejtim shtrirjeje VVP – JJL brenda të cilit brez janë formuar vendburimet minerale.
Zona e parë (I) përfshin minierën e Artanës (Novo Brdës) dhe ndjek kufirin midis zonës së Vardarit dhe pjesës së masivit Dardan (Serbo–Maqedonas) që kalon në Kosovë, që është e karakterizuar nga vullkanizmi i shkëmbinjve kalcium–alkaline ekstensive dhe intruzive të Neogjenit.
Zona e dytë (II) përfshin minierat Belo Brdo, StanTerg dhe Hajvalia. Kjo zonë ndjek shkarjen e madhe (kryesore) që shënon skajin lindor të pellgut Miocenik të Prishtinës dhe shtrirjen e saj në VVP dhe komplekset intruzive dhe vullkanike në Kosovën veriore.
Zona III (tretë) përfshin minierën e Crnacit dhe ka në gjirin e vet një numër vendburimesh të plumb–zinkut gjatë kufirit perëndimor, ku është në kontakt me bllokun strukturor të Dinarideve, Drina-Ivanjica (Drenica).
Janë ndërmarrë vlerësime aktuale për rezervat e shfrytëzueshme të kombinuara për pesë minierat, por të gjitha vendburimet janë të hapura në thellësi dhe shtrirjet e tyre në gjatësi janë të pasigurta, për shkak të mungesës së hulumtimeve sistematike dhe përkufizimit me anë të shpimeve.
Gjatë shfrytëzimit të plumb–zinkut–argjendit në Përroin e ngjyrosur në Artana (Novo Brdo), u zbuluan rreth 3Mt hallojzit i shkallës së lartë Al2Si2O5(OH)4. Ky është vetëm një nga vendburimet e njohura të shfrytëzueshme të kësaj argjile me vlerë shumë të madhe (US$140-450/t), katër vendburimet e tjera janë në Zelanden e Re, Turqi, Kinë dhe Utah (SHBA). Prodhimi botëror i sotëm është vlerësuar në 150,000 ton/vit.
Nikeli
Shfaqjet e nikelit dhe kobaltit paraqiten në Kosovën qendrore. Të dy elementet paraqiten së bashku prandaj edhe përshkruhen të kombinuara. Ni dhe Co gjenden afër Gllavicës, në veri të Magurës dhe në Çikatovë. Më tej në veri, afër Baksit, paraqitën xehe të nikelit silikat. Vendburimi i hekurit në Tërstenik, në perëndim të Çikatovës, gjithashtu përmban sasi të konsiderueshme të nikelit. Afër Petkoviçit dhe në jug të Radoshevcit lajmërohen shfaqjet e tjera së bashku me Co dhe Cu. Këto shfaqje të Ni-së i përkasin tre llojeve të ndryshme gjenetike të xehes: vendburimet Ni-hidrosilikate mbi shkëmbinjtë ultramafik të Jurasikut, korehekuri (ferrikrite) Ni-Cr mbajtëse (lateritike) të Kretakut të Sipërm të Tërstenikut dhe ndarja e vonshme lëngë-magmatike sulfide e Ni-Co, Fe-Cu-it në shkëmbinj ultramafik.
Nga këndvështrimi ekonomik, lloji i parë gjenetik i cekur më sipër është më i rëndësishmi. Duhet cekur se në Kosovë dallohen dy zona më vendburime Ni-hidrosilikate: Masivi i Goleshit ka disa shfaqje të nikelit, të cilat kanë gjenezën nga tjetërsimi lateritik i shkëmbinjve ultrabazik (vendburimi në Magurë). Nikel mbajtëse janë hidro-silikatet e magnezit, hekurit dhe aluminit. Vendburimi i Çikatovës është i lidhur me më zonën e laterite të tjetërsimit të periodititeve dhe gjithashtu lëndës xeherore të tjetërsuar. Hulumtimi i Ni në Kosovë ka filluar në vitin 1961 në masivin e Goleshit. Më vonë, në vitin 1967, është zbuluar vendburimi në zonën e Drenasit. Ishte kryer një program hulumtimi intensiv (hartografim, gjeofizikë, shpime). Shfrytëzimi i Ni filloi në vitin 1982. Në atë kohë në Drenas u ndërtua shkritoja e Ni (“Feronikeli”). Në veri të Magurës, në masivin e Goleshit, në vendburimin Gllavica është bërë shfrytëzim sipërfaqësor. Në zonën e Drenasit afër Çikatovës janë hapur dy miniera sipërfaqësore: “Dushkaja” dhe“Suka”.
Nje varg paraqitjesh të kromiteve në formë thjerrëzore të tipit Alpin në Kosoven jugperëndimore janë pjesë e një serie të vendburimeve lineare, që vazhdojnë edhe në Shqipëri.
Këto thjerrëza janë të vogla por të shkallës së lartë dhe në Shqipëri janë të njohura pasi që zotërojne nivele të larta të metaleve të grupit të Platinit (PGM).
Nga fundi i Luftës së II-të Boterore deri në vitin 1956, xeherorët e kromit shfrytëzoheshin në fillim nga miniera e Gjakovës nga “Deva Holding Company” dhe drejtpërsëdrejt transporti bëhej për në Shqipëri për trajtim. Kur xeherori i pasur u pakësua, Kosova filloi të importoj nga Shqipëria 30 000–50 000 t/vit kromite. Kjo gjë u ndërpre kur impianti u mbyll në vitin 1991. Duhet theksuar se për shumë dekada nuk janë ndërmarrë kërkime për kromite.
Boksitet
Vendburimet e boksiteve të Kosovës gjenden në gëlqerorët e karstëzuar dhe janë shfrytëzuar me një sërë punimesh minerare, që përbëjnë minierën e Grebnikut. Gëlqerorët që kanë boksitet në gjrin e tyre janë shfrytëzuar gjithashtu si material ndërtimi dhe mjaft mbetje të gëlqerorëve të coptuar gjenden në vend. Shfrytëzimi minerar ka filluar në vitin 1966 dhe ka ndaluar në vitin 1999 për shkak të prishjes së klimës politike në Kosovë. Prodhimi i përgjithshëm ka qenë 2.85 Mt.
Tregjet tradicionale për boksitin nga Grebniku kanë qenë Rumania, Gjermania dhe Rusia. Miniera ka patur një punishte që prodhonte stukon e mureve. Prodhimi ka arritur në 5000 t/vit për tregun e brendshëm, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Kosova zotëron dy miniera magneziti (MgCO3) në Golesh dhe Strezovc. Të dyja këto miniera në fillim kanë nisur si kariera dhe kanë zhvilluar punimet nëntokësore për shfrytëzimin deri në mbylljen e tyre në vitin 1999.
Përpara vitit 1990, në Golesh prodhohej 110 000 ton magnezit, 22 000 ton magnezium dhe 10000 ton magnezium kaustik të kalcinuar për vit. Miniera e Goleshit është shfrytëzuar me një pus minerar, ndërsa miniera e Strezovcit me anë të një galerie horizontale në shpatin e kodrinës.
Të dyja minierat janë vënë për privatizim. Për informacione të mëtejshme mbi proçesin e privatizimit, vizitoni: www.pak-ks.org/
Agregatet dhe mineralet e ndërtimit
Kosova eshte e pasur me minerale ndertimi te cilesise se larte, si andezitet, bazaltet, diabazet, gabrot, granitet, gelqeroret dhe mermeret.
Mundësi interesante ekzistojnë për prodhimin e gurëve dekorativë dhe dimensional të cilësisë së lartë.
Vendburime të mëdha të argjileve janë një burim i shkëlqyer për prodhimin e tullave, tjegullave dhe prodhimeve të tjera.