
16-17.10.2025 – Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), organizuan me sukses edicionin e VII-të të Konferencës Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë IMGC 2025.
Konferenca mblodhi studiues dhe profesionistë nga vendi, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbim të njohurive shkencore dhe përvoja praktike në fushën e gjeoshkencës dhe industrisë minerare.
Në ditën e parë të konferencës, u prezantuan 35 punime shkencore dhe 12 abstrakte, ku kontribuan ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë. Ndër pjesëmarrësit e rëndësishëm ishin edhe profesorë të ftuar nga SHBA, Italia, Turqia dhe Gjermania, të cilët mbajtën ligjërata si “key speakers”. Ndërsa nga vendi, me një kontribut të veçantë u paraqit edhe Dr. Habib Basholli, Kryesues i Bordit të KPMM-së dhe anëtar i Komitetit Organizativ dhe Shkencor të konferencës.
Dita e dytë u rezervua për vizita në terren, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë nga afër disa prej ndërmarrjeve më të rëndësishme minerare në Kosovë: Trepçën, KEK-un dhe Sharcem-in, duke u njohur më konkretisht me proceset operacionale dhe sfidat e industrisë.
Sipas Dr. Bashollit, kjo konferencë shënoi një sukses të veçantë, si në aspektin organizativ ashtu edhe në nivelin e lartë të pjesëmarrjes dhe cilësisë së prezantimeve shkencore, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit institucional në avancimin e gjeoshkencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit minerar në Kosovë.